Një afgan, ish-anëtar i forcave speciale që bashkëpunuan me ushtrinë britanike, përballet me deportim të menjëhershëm nga Pakistani drejt Afganistanit, bashkë me disa anëtarë të familjes së tij. Një veprim ky që sipas të birit, mund t’i kushtojë jetën të gjithëve.

Dokumente të siguruara nga BBC tregojnë se burri ka qenë pjesë e njësive speciale “Triples”, që punuan ngushtë me trupat britanike. Deportimi vjen mes një fushate të Pakistanit për largimin e të gjithë “të huajve të paligjshëm”.

I biri, i identifikuar si Rayan për arsye sigurie, tha se nëse kthehen në Afganistan, familja do të ekzekutohet për shkak të lidhjeve me Triples. Ai rrëfeu se autoritetet pakistaneze i kanë marrë disa të afërm, përfshirë fëmijë, dhe i kanë çuar në një kamp, ndërsa ai u fsheh në një hotel bashkë me bashkëshorten dhe foshnjën.

Reklamë

Familja kishte aplikuar që në vitin 2021 për zhvendosje përmes programit britanik ARAP (Afghan Relocations and Assistance Policy), i krijuar për të mbrojtur afganët që kanë punuar me forcat britanike. Kërkesa e tyre është miratuar nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2024, por vendimi përfundimtar nuk është marrë ende.

Rreziku është shtuar nga fakti se të dhënat e familjes ishin mes atyre të 19 mijë afganëve të ekspozuara gabimisht në një rrjedhje informacioni në vitin 2022, duke i bërë më të cenueshëm ndaj hakmarrjes.

Calvin Bailey, deputet laburist dhe ish-komandant në RAF që ka punuar me Triples, e quajti situatën “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe u bëri thirrje autoriteteve britanike të garantojnë mbrojtje maksimale për këta individë.

Sipas të dhënave të OKB-së, që prej nisjes së planit të Pakistanit për riatdhesimin e të huajve të paligjshëm në shtator 2023, mbi 1.15 milionë persona janë kthyer në Afganistan. Nga rreth 3 milionë afganë që jetojnë në Pakistan, gjysma nuk kanë dokumentacion të rregullt.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka bërë thirrje që kthimet të jenë “vullnetare, të sigurta dhe me dinjitet”, duke theksuar se personat me nevoja të vazhdueshme për mbrojtje ndërkombëtare duhet të përjashtohen nga deportimi.

Reklamë