Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar homologun e tij australian, Anthony Albanese, se ka “tradhtuar Izraelin” dhe ka “braktisur komunitetin hebre në Australi”, pas ditësh tensionesh të ashpra mes dy vendeve.
“Historia do ta mbajë mend për atë që është, një politikan i dobët,” tha Netanyahu të martën, 19 gusht.
Përplasja erdhi pasi Australia ndaloi hyrjen e një deputeti të krahut të djathtë nga koalicioni qeverisës i Netanyahut, ndërsa Izraeli reagoi duke u tërhequr vizat për përfaqësuesit australianë në Autoritetin Palestinez.
Kjo ndodhi pak ditë pasi Canberra shpalli se do t’i bashkohej Britanisë së Madhe, Francës dhe Kanadasë në njohjen e shtetit palestinez, një hap që ka zemëruar qeverinë izraelite.
Ministri australian i Emigracionit, Tony Burke, tha se Netanyahu “po shpërthen në nervozizëm” dhe shtoi:
“Forca nuk matet me sa njerëz mund të hedhësh në erë apo me sa njerëz mund t’i lësh të uritur.”
Kryeministri Albanese, nga ana tjetër, u përpoq të ulte tonet, duke theksuar:
“Unë nuk i marr personalisht këto gjëra. Kam respekt për liderët e vendeve të tjera dhe angazhohem me ta në mënyrë diplomatike.”/