Një shpërthim i fuqishëm në një magazinë fishekzjarrësh në Karaçi të Pakistanit ka lënë të paktën 34 persona të plagosur, njoftuan autoritetet të enjten. Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, ndërsa pas shpërthimit, magazina dhe disa dyqane pranë saj u përfshinë nga flakët, të shoqëruara me shpërthime më të vogla.

Pamjet treguan tym të dendur që ngrihej nga një godinë shumëkatëshe, ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin të vinin zjarrin nën kontroll. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet, por fuqia e tij ishte aq e madhe sa thyen xhamat e dyqaneve përreth, duke plagosur kalimtarë.

Sipas policisë, 34 të lënduar u dërguan në spital, katër prej të cilëve janë në gjendje kritike. Banorët e përshkruan shpërthimin si një seri bombardimesh, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë treguan njerëz që vraponin për të shpëtuar dhe shoferë që kthenin makinat me nxitim.

Reklamë

Shpërthimi ndodhi vetëm një ditë pasi reshjet e dendura kishin përmbytur qytetin me mbi 20 milionë banorë.