Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është: 2,069,098 votues. Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 2,025,105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.

Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

Reklamë

Në një mbledhje të mbajtur sot, KQZ po ashtu mori vendim për miratimin e përmbajtjes dhe dizajnit të fletëvotimeve për çdo komunë për Zgjedhjet Lokale 2025.

KQZ ka publikuar tabelën me numrin e votuesve nëpër komuna. Prishtina është komuna me numrin më të madh të votueseve, gjithsej  224,053 votues, pasuar nga  Prizreni – 191,752 votues,  Ferizaj – 125,865 votues, Gjakova – 124,909 votues, Peja – 122,909 votues, Gjilani– 109,920 votues, Mitrovica – 85,893 votues, e të tjerë./Reporteri.net/