Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në fjalimin e tij në tubimin hapës të fushatës “Koha për Prishtinën”, ka folur për historinë dhe ëndrrat e kryeqytetit që, sipas tij, janë zëvendësuar nga problemet elementare të jetës së përditshme.
“Qyteti ynë gjithmonë ka qenë qytet i ëndrrave të mëdha. Edhe në kohët më të vështira, njerëzit në Prishtinë nuk kanë pushuar kurrë së ëndërruari,” tha Ismaili, duke kujtuar se në këtë qytet kanë ardhur gjenerata të tëra nga e gjithë Kosova, për t’u shkolluar dhe një jetë më të mirë.
Ai ngriti pyetjen se ku kanë mbetur sot këto ëndrra, duke sjellë shembuj nga takimet e tij të përditshme me qytetarë: nëna që nuk mund të gjejnë punë sepse mungojnë çerdhet, fëmijë që ecin në rrugë pa trotuare dhe të moshuar që mbeten të mbyllur në banesa pa infrastrukturë minimale.
“A duhet të qëndrojmë anash teksa qyteti ynë i ëndrrave të mëdha shndërrohet në qytet jofunksional të premtimeve të thyera? Në asnjë mënyrë!”, u shpreh ai.
Sipas Ismailit, Prishtina nuk ka më kohë për konflikte dhe inate politike, por ka nevojë për bashkëpunim dhe rezultate konkrete. “Në qytetin tonë të ëndrrave sot ka hapësirë vetëm për zgjidhje e për bashkëpunim. Vetëm kështu Prishtinës do t’i kthehen ëndrrat,” përfundoi ai.
Ismaili ka prezantuar pesë zgjidhjet kryesore të programit që synojnë të nxjerrin kryeqytetin nga kaosi aktual. Pesë zgjidhjet e tij janë:
Zhbllokimi i trafikut brenda 18 muajve
Rrugë të sigurta, 24/7
Lagje të pastra, 24/7
Prej betonit te komuniteti
Prishtina e së ardhmes
Ismaili tha se qytetarët e kryeqytetit meritojnë zgjidhje konkrete dhe të matshme, duke theksuar se Prishtina nuk ka më kohë për inate. “Koha është për punë. Koha është për Prishtinën. Sot kemi një mundësi të madhe – ta kthejmë Prishtinën në qytet të mirëqenies, të sigurisë dhe të mundësive për të gjithë,” u shpreh ai.
Për zhbllokimin e trafikut, ai premtoi 100 autobusë të rinj, 60 semaforë shtesë, pesë parkingje “Park & Ride” në hyrjet e qytetit dhe një qendër moderne dixhitale për menaxhimin e trafikut.
Sa i përket sigurisë në lagje, plani i tij përfshin ndriçimin e mbi 1,000 rrugëve, ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja, vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla e lagje dhe trajtim human për 5,000 qen endacakë.
Për një Prishtinë të pastër, Ismaili prezantoi shtimin e 60 kamionëve për mbeturina, vendosjen e 2,100 kontejnerëve nëpër lagje dhe hapjen e një deponie për mbeturina voluminoze dhe ndërtimore.
Në kuadër të kthimit të hapësirave publike për komunitetin, ai premtoi pezullimin e të gjitha lejeve të reja të ndërtimit për gjashtë muaj, mbjelljen e 100 mijë drunjve dhe sigurimin që çdo shtëpi të ketë një park jo më larg se 300 metra.
Pjesë e programit është edhe transformimi i Pallatit të Rinisë në kampus për Teknologji dhe Kulturë, hapja e 10 qendrave “Future Hubs”, dyfishimi i çerdheve publike dhe krijimi i hapësirave komunitare në çdo lagje.
“Ky pra është vizioni im për Prishtinën: një qytet që funksionon ditë e natë – për çdo lagje dhe për çdo qytetar,” tha Ismaili.