×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Ora 14:00

    Sot protesta për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Reporteri
    14 Shtator 2025 | 8:24

    Bashkëluftëtarët dhe shqiptarët nga Kosova e rajoni, por edhe mërgimtarët nga diaspora kanë udhëtuar drejt Hagës, ku është organizuar protesta e radhës në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Protesta pritet të mbahet me fillim nga ora 14:00 pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – jo te Gjykata Speciale sepse një gjë e tillë nuk është lejuar për arsye të sigurisë.

    Përgatitjet kanë nisur prej ditësh ndërkohë që veteranë të UÇK-së, por edhe shumë qytetarë të tjerë nga Kosova janë nisur që me 12 shtator drejt Holandës.

    Protesta do të zhvillohet një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit të 2020-ës. Ata po ballafaqohen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

    Një tjetër protestë në Hagë ishte mbajtur edhe në prill të vitit 2023 – në kohën kur kishte nisur gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.

    Ndërkaq, së fundmi në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur më 7 gusht ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë kundër padrejtësisë që vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!