Manchester United arriti të ardhura rekord për vitin 2024/25 në shumën e 666.5 milionë paundëve, por klubi përsëri regjistroi një humbje totale prej 33 milionësh.
Bilancet vjetore të klubit treguan se ata fituan më shumë të ardhura se kurrë më parë, pavarësisht se nuk luajtën në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, raporton “Sky Sports”.
Drejtuesit e “Djajve të Kuq” e kanë vlerësuar marrëveshjen pesëvjeçare të sponsorizimit të fanellave me “Snapdragon” si marrëveshjen më me vlerë të këtij lloji në sportin botëror, dhe kjo luajti një rol të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave.
Megjithatë, bordi i klubit po tregon kujdes pas një sërë masash për uljen e kostove në 12 muajt e fundit.
Bilancet tregojnë se shpenzimet totale operative për vitin ranë me 4.5%, dhe shpenzimet e punonjësve me 14.1%, ose 51.5 milionë paund.
Kjo u arrit nga largimi i një numri lojtarësh me paga të larta, të cilët nuk ishin pjesë e planeve të ekipit të parë, duke u huazuar ose shitur, si dhe nga ristrukturimi më i gjerë i klubit. Mbi 250 anëtarë të stafit në “Old Treford” u pushuan nga puna në raundin e parë të shkurtimeve.
Por humbjet neto prej 33 milionë paundësh janë dukshëm më të ulëta se deficiti prej 113 milionësh në vitin 2024, gjë që sipas drejtuesve të klubit tregon forcën dhe qëndrueshmërinë e vazhdueshme komerciale të klubit, si dhe përfitimet nga vendimet e vështira që janë marrë për të ulur një “bazë kostosh të paqëndrueshme”.
Gjithashtu pritet që shkurtime të tjera të kostove dhe vendime të vështira të merren ndërsa kompania “INEOS” përfundon ristrukturimin në klubin e futbollit.