Pas konfirmimit zyrtar nga kompania Richard Mille dhe përfaqësuesit e saj ligjor në Kosovë se ora “luksoze” e reperit Mozzik, e sekuestruar nga Dogana, nuk është origjinale, ka ardhur edhe reagimi i tij i parë publik.
Mozzik zgjodhi të mos japë as shpjegime e as kundërshtime të drejtpërdrejta për lajmin që bëri bujë të madhe në media dhe rrjete sociale. Përkundrazi, ai reagoi përmes një Instastory, ku publikoi vetëm një shkrim të shkurtër me ironi:
“Muhahahahahahahahaha”.
Ndryshe, shoqëria e avokatëve “Vokshi & Lata”, e cila përfaqëson kompaninë zvicerane “Richard Mille” në Kosovë, ka njoftuar se ora “luksoze” e reperit Mozzik, e konfiskuar ditëve të fundit nga Dogana e Kosovës, ka rezultuar të jetë falsifikat.
Në një deklaratë për media, kjo shoqëri bëri të ditur se pas ekzaminimit të kryer nga vetë kompania Richard Mille, është konfirmuar se ora e ndaluar nuk është origjinale.
“Ora e sekuestruar nga Dogana e Kosovës nuk është produkt i markës Richard Mille. Si përfaqësues ligjor të kësaj marke prestigjioze, njoftojmë opinionin publik se rezultatet e verifikimit janë komunikuar tashmë me Doganën e Kosovës dhe procedurat ligjore do të vazhdojnë,” thuhet në reagimin e tyre.
