Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më të famshëm dhe më të dekoruar në historinë e futbollit, me një CV që flet vetë. Ai ka arritur sukses pothuajse në çdo klub që ka drejtuar, e pavarësisht kësaj, edhe ai e ka përjetuar ndjesinë e shkarkimit nga detyra.

Ai u shkarkua nga Chelsea në vitin 2011, vetëm një vit pasi ndihmoi “Blutë” të fitonin kampionatin dhe kupën. Në vitin 2015, Real Madridi e largoi pasi e udhëhoqi drejt titullit të 10-të në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, ishte largimi i tij nga Bayerni në vitin 2017 që Ancelotti e ka përshkruar si më të “pamëshirshmin”. Kjo ishte hera e parë që italiani shkarkohej në mes të sezonit, në një karrierë 22-vjeçare në atë kohë.

Reklamë

Gazeta “Sport Bild” publikoi fragmente nga libri i tij i ardhshëm, “Ëndrra: Si të fitosh Ligën e Kampionëve”, ku ai e tregon këtë episod.

“Kundër PSG-së ndryshova strategji dhe gabova! Ata shënuan golin e parë në minutën e dytë. Rezultati final 3-0 ishte humbja më e rëndë e Bayernit në këtë kompeticion në 21 vite. Bordi i klubit u mblodh dhe arriti në përfundimin se unë isha problemi. Ishte shkarkimi më i pamëshirshëm i gjithë karrierës sime. Pas largimit tim, ata arritën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe u eliminuan nga, imagjinojeni, Real Madridi.”

Në total, Ancelotti ka fituar 31 tituj në nivel klubi. Ai mban rekordin e pesë fitoreve në Ligën e Kampionëve si trajner, dy herë me Milanin dhe tri herë me Real Madridin. Në fund të sezonit të kaluar, ai u largua nga Madridi pas katër sezonesh në krye dhe iu bashkua kombëtares braziliane.