Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur mbështetjen e tij për Ferit Idrizin në zgjedhjet lokale, duke theksuar punën e suksesshme të tij gjatë katër viteve të fundit. Krasniqi u shpreh se Idrizi ka udhëhequr me ndershmëri, transparencë dhe përkushtim, duke e bërë Vushtrrinë shembull të stabilitetit dhe zhvillimit.
“Sonte, në Lumadh të Vushtrrisë, u dakorduam se puna e mirë e Kryetarit Ferit Idrizi duhet të vazhdojë. Ai ka punuar për të gjithë qytetarët me duar të pastra dhe zemër të hapur,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se më 12 tetor qytetarët do të kenë mundësinë të riafirmojnë besimin te Idrizi, për një Vushtrri më të mirë, më të jetueshme dhe më dinjitoze.
Krasniqi e përshkroi Idrizin jo vetëm si kandidat të PDK-së, por si kandidatin dhe kryetarin e të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë.