Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, ka mbajtur tubimin qendror të fushatës në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, ku është pritur me përkrahje të madhe nga qytetarët.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Shala tha se Suhareka është gati për ndryshim dhe për një udhëheqje që punon me duar të pastra.

“Energjia dhe përkrahja që mora nga ju më jep bindjen se Suhareka është gati për një të ardhme më të mirë. Ne kemi vizionin e qartë dhe programin tonë që do të sjellë zhvillim dhe mirëqenie për çdo familje”, tha Shala.

Reklamë

Ai prezantoi programin e tij, i cili bazohet mbi tri shtylla kryesore: arsim cilësor, shërbime publike dinjitoze dhe një ekonomi që krijon mirëqenie. Shala theksoi se investimet në shkolla, shëndetësi, bujqësi dhe turizëm do të kthejnë potencialin e Suharekës në zhvillim konkret.

Më 12 tetor, Shala ftoi qytetarët që t’i bashkohen vizionit të tij për një Suharekë që frymëzon dhe u shërben të gjithëve.