Sonte pretendentët kryesorë për kryetar të Prishtinës, do të përballen për herë të parë që të tre në një studio televizive.
Përparim Rama, Uran Ismaili e Hajrulla Çeku do të jenë përballë njëri-tjetrit në studion e “Debat Plus”, nën moderimin e gazetarit Ermal Panduri.
Ky debat, kur kanë mbetur edhe tri ditë deri te zgjedhjet e 12 tetorit, mund të jetë edhe vendimtar në përcaktimin e fituesit, apo balotazhit në këtë garë.
Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës gjatë kësaj jave u përballën edhe në një studio tjetër televizive, por prezent nuk ishte kandidati i VV-së, Hajrulla Çeku.
Debati do të nisë në ora 20:00, në RTV Dukagjini.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen këtë të diele, më 12 tetor. /Reporteri.net/