Petrit Hajdari, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, ka uruar kundërshtarin e tij fitues, Ramiz Lladrovcin.
Përmes një postimi në Facebook, Hajdari ka falënderuar qytetarët e Drenasit për mbështetjen dhe votën e dhënë gjatë procesit zgjedhor.
“Të dashur qytetarë të Drenasit, Ju falemnderit nga zemra të gjithëve për garën e jashtëzakonshme e demokratike që zhvilluam bashkërisht dje. Përgjatë kësaj fushate, kam bërë të gjitha përpjekjet njerëzore për t’i sjellë Drenasit një qeverisje të mirë në të cilën kam besuar fort. Ju falënderon shumë të gjithë juve që më keni votuar e keni besuar tek unë, ekipi dhe vizioni ynë. Por gara dhe demokracia janë këto, dhe unë e respektoj verdiktin tuaj. Kundërkandidatin tim, Ramiz Lladrovcin, e uroj për fitoren dhe shpresoj që Drenasi të përjetojë zhvillim e suksese. Ju falemnderit edhe njëherë nga zemra të gjithëve.”
Në këto zgjedhje, Ramiz Lladrovci fitoi pa balotazh me 52.31% të votave, ndërsa Petrit Hajdari u rendit i dyti me 37.31%.