Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave po zhvillohet sipas planit në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri në orën 16:00 të ditës së martë, procesi ka përfunduar në tri komuna – Junik, Mamushë dhe Zveçan – ndërsa në Hanin e Elezit është mbyllur që të hënën në mbrëmje.
Në të njëjtën kohë, në orën 16:00 të së martës, ka filluar puna edhe në tri Qendra Komunale të Numërimit të tjera: Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot.
Sipas Elezit, në QKN zhvillohen paralelisht tri procese të rëndësishme: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave; verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Deri në orën 16:00, janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash, si dhe rezultatet për subjektet politike nga 334 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, janë numëruar edhe votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.
Ndërkohë, në platformën e KQZ-së për rezultatet kanë filluar të publikohen të dhënat e reja që dalin nga Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat përfshijnë: rezultatet e verifikuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e verifikuara të subjekteve politike për Kuvendet Komunale, dhe votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.