Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas pretendimeve për blerje dhe vjedhje të votës në Shipol të Mitrovicës, për çka Prokuroria tashmë ka nisur të grumbullojë informacione.
Manxhuka ka thënë se me të tilla pretendime po tentohet të cenohet besimi në rezultat.
“Tentuan me lajme të rrejshme nga mëngjesi dhe exit polle që thonin se po ndodh mrekullia në Mitrovicë ta ndryshonin rezultatin, dështuan. Pasi dështuan ta ndikojnë rezultatin, tash po duan ta cenojnë besimin në rezultat. Ata që manipuluan po ankohen për “manipulim”. Ironi e madhe, manipuluesit po sillen si viktima”, ka shkruar Manxhuka.
Pretendimet për blerje dhe vjedhje të votës në Shipol të Mitrovicës kanë vënë në lëvizje Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, ka thënë se Prokuroria ka nisur të grumbullojnë informacione lidhur me këto pretendime.
“Janë duke u grumbulluar informata lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion”, ka deklaruar ai për Reporteri.net.
Nga rezultatet zyrtare të KQZ-së, Komuna e Mitrovicës ka shkuar në balotazh mes PDK-së dhe VV-së.
Ndryshe nga këto rezultatet, tri Exit Poll-et e realizuara nga tri kompani të ndryshme, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve të dielën e 12 tetorit, nxirrnin fituese në këtë komunë, Partinë Demokratike të Kosovës./Reporteri.net
Prokuroria vihet në lëvizje pas dyshimeve për blerje dhe vjedhje të votës në Shipol të Mitrovicës