×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lokalet 2025 / Ankesa në PZAP

    Një fletëvotim më pak në kuti sesa numri i votuesve, AAK kërkon rivotim në një qendër në Kamenicë

    Reporteri
    16 Tetor 2025 | 16:17

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me një vendvotim në Kamenicë dhe ka kërkuar që këtë vendvotim (1020-01) ta kthejë në rivotim, shkruan Reporteri.net.

    Në ankesën e AAK’së, ku është bashkangjitur edhe formulari, thuhet se në kutinë e votimit janë gjetur 353 fletëvotime, teksa në vendvotim janë regjistruar 354 fletëvotime. Pavarësisht kësaj, AAK thotë se në raportin e komisionerëve është shënuar se nuk ka ndonjë mospërputhje të evidentuar.

    “Pra, rezulton një fletëvotim më pak në kuti sesa numri i votuesve që kanë nënshkruar në listën përkatëse. Ndërkohë, sipas raportit të komisionerëve të vendvotimit, është shënuar se nuk ka vërejtje apo mospërputhje të evidentuar gjatë procesit të votimit apo të numërimit në vend”, thuhet në ankesë.

    Siaps AAK’së, kjo situatë përbën shkelje të parimeve bazë të procesit zgjedhor demokratik.

    “ngase në një proces demokratik, çdo votues ka të drejtë për një votë të vetme. Kur në kuti gjenden më pak fletëvotime sesa numri i personave që kanë nënshkruar, lind dyshimi i arsyeshëm se është hedhur më shumë se një votë pa bazë ligjore, duke cenuar të drejtën për votë, si e drejtë kushtetuese”.

    Sipas kësaj partie, çdo mospërputhje ndërmjet nënshkrimeve dhe fletëvotimeve është tregues i mungesës së kontrollit dhe transparencës gjatë procesit të votimit apo numërimit.

    “Kjo vë në pikëpyetje besueshmërinë e rezultatit zgjedhor në atë vendvotim. Andaj, mbi bazën e të lartcekurave, shqyrtuesit të kësaj ankese, pas shqyrtimit përmbajtjesor të rrethanave të rastit konkret, i propozojmë që këtë ankesë ta aprovojë si të bazuar, ashtu që ta kthejë në RIVOTIM vendvotimin 1020-01”, përfundon ankesa./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!