Kryetari i Junikut, Ruzhdi ka reaguar ndaj mënyrës se si, sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po zhvillon fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në një reagim të publikuar në Facebook Shehu tha se pavarësisht se LDK-ja ka dominuar në raundin e parë me rreth 49% të votave, përballë 38.9% të AAK-së, kundërshtarët politikë po zhvillojnë një “fushatë të pandershme dhe të padenjë për Junikun”.
Sipas Shehut, AAK-ja po përfshihet në “ofendime ndaj grave, vajzave dhe familjeve junikase”, si dhe po përdor llogari fiktive në rrjete sociale për të shpërndarë shpifje dhe fyerje.
“Në mungesë të programit politik dhe argumenteve, ata publikojnë postime ku përmendin vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe motrat tona. Paradite i ofendojnë, ndërsa pasdite shkojnë e u kërkojnë votën,”, ka shkruar Shehu.
Shehu ka paralajmëruar se LDK-ja do të dorëzojë dhjetëra kallëzime penale dhe padi civile ndaj eksponentëve të AAK-së për, siç thotë ai, “tentime për blerje votash, manipulim të votuesve dhe shpifje”.
Në fund, kandidati i LDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve të Junikut, brenda dhe jashtë vendit, që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Juniku është i junikasve. Agron Kuçi dhe eprorët e tij nga Deçani nuk kanë asnjë pikë autoriteti për të vendosur se kush është i Junikut e kush jo,”, ka përfunduar Shehu.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 9 nëntor 2025./Reporteri.net/