Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ. Krasniqi ka thënë se PDK është partia më e votuar në nivel vendi.

Sipas Krasniqit, rezultati me mbi 187,500 vota tregon qartë se qytetarët e Kosovës kanë besuar përsëri në vizionin e PDK-së për zhvillim dhe qeverisje të mirë.

“Pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ, me mbi 187,500 vota, qytetarët e Kosovës folën qartë edhe në këto zgjedhje lokale: besimi, organizimi dhe vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës për zhvillim kanë fituar sërish”, ka shkruar ai.

Reklamë

Krasniqi ka falënderuar të gjithë qytetarët, kandidatët, anëtarët dhe aktivistët për besimin dhe angazhimin e tyre.

“Ky rezultat është dëshmi e punës sonë të përbashkët, e çdo kandidati, anëtari, aktivisti dhe qytetari që beson se Kosova mundet ma mirë”

“Faleminderit për çdo votë. Faleminderit për besimin tuaj. Puna jonë vazhdon. Në çdo komunë, për çdo qytetar!”, ka shkruar ai. /Reporteri.net/