Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë një thirrje të veçantë për mërgatën junikase, duke theksuar rolin e saj vendimtar në balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor.

Shehu falënderoi mërgatën për përkrahjen e treguar gjatë rundit të parë të zgjedhjeve dhe theksoi se për shkak të vetëm 30–40 votave, fitorja nuk u arrit të kurorëzohej në raundin e parë. Ai bëri me dije se KQZ-ja ka filluar shpërndarjen e fletëvotimeve, dhe deri më tani rreth 500 zarfa për votuesit në diasporë janë dorëzuar në postë.

Kryetari Shehu u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e KQZ-së për plotësimin e fletëvotimit, në mënyrë që vota e tyre të konsiderohet e vlefshme.

Reklamë

Ai gjithashtu denoncoi veprimet e eksponentëve të AAK-së në Junik, të cilët sipas tij janë duke ushtruar presion, kërcënime dhe tentime për blerje votash ndaj mërgatës. Shehu bëri të ditur se LDK-ja në Junik po mbledh të gjitha provat dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të adresuar këto praktika të kundërligjshme.

“Junikasit nuk shantazhohen, nuk blehen, nuk shiten, nuk frikësohen dhe nuk mashtrohen. Juniku do të udhëhiqet vetëm nga qytetarët e vet dhe mërgata jonë e dashur. Dera që të tjerët e kanë hapur me shqelma dhe për 12 vite e kanë sunduar Junikun për interesat e tyre personale, është mbyllur njëherë e përgjithmonë,” shkroi Shehu.

Ai tha se fitorja më 9 nëntor do të jetë një ngjarje historike për Junikun, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit të mërgatës për të siguruar suksesin e zgjedhjeve.