Kylian Mbappé tha se dëshiron të qëndrojë te Real Madridi “për shumë vite” dhe të fitojë edhe më shumë trofe me klubin, pasi mori trofeun “Këpuca e Artë Europiane” për sezonin 2024-25.

Mbappé realizoi 31 gola në LaLiga sezonin e kaluar, në vitin e tij debutues me Los Blancos, duke fituar për herë të parë në karrierën e tij këtë trofe të rëndësishëm prestigjioz individual, që akordohet nga European Sports.

Këpucën e Artë europiane e mori gjatë një ceremonie në “Bernabeu”.

Reklamë

“Është kënaqësi për mua të fitoj Këpucën e Artë. Është një moment i rëndësishëm për mua, hera e parë që e fitoj këtë çmim. Do të thotë shumë për mua si sulmues. Mund të jesh sa i fortë të duash, por nuk mund ta fitosh këtë lloj çmimi pa lojtarë, staf, një ekip, tifozë. Jam i vetëdijshëm për këtë, prandaj dua të falënderoj ekipin!”

Tani francezi ka uri për të tjera suksese.

“Është një kënaqësi e madhe të luash te Real Madridi. Të gjithë e dinë që ishte ëndrra ime e fëmijërisë, tani jam këtu, shpresoj për shumë vite. Shpresoj se do të jem në gjendje t’i fitoj këto çmime për shumë vite dhe se do t’u sjell gëzim tifozëve të Real Madridit, të cilët më treguan dashuri që nga dita e parë!”

Çmimi i jepet golashënuesit më të mirë në kampionatet evropiane gjatë një sezoni, me një sistem pikësh të ndërtuar për të favorizuar golat e shënuar në kampionatet më të forta.

Me 31 golat e tij në La Liga, Mbappé u vlerësua me 62 pikë, duke përfunduar përpara Viktor Gyökeres, me 58.5 pikë për sezonin e tij te Sporting, dhe Mo Salah i Liverpoolit me 58 pikë.

Reklamë

Harry Kane fitoi çmimin në 2023-24, Erling Haaland në 2022-23 dhe Robert Lewandowski dy sezonet para tyre.