Burimi kryesor i ujit të pijshëm për banorët e Teheranit mund të shterojë brenda dy javësh, për shkak të thatësirës historike që po godet Iranin.

Siç shkruan Al Jazeera, diga Amir Kabir, një nga pesë digat që furnizojnë kryeqytetin me ujë, “ka vetëm 14 mln m³ ujë, që përbën 8% të kapacitetit të saj”. Drejtori i kompanisë së ujësjellësit të Teheranit, Behzad Parsa ka paralajmëruar se në këtë nivel, diga mund të furnizojë Teheranin vetëm për dy javë të tjera.

Iran po përjeton thatësirën më të keqe në dekada. Rënia e pakët e reshjeve në provincën e Teheranit është e paprecedentë prej thuajse një shekulli. Teherani, një metropol me mbi 10 milionë banorë, ndodhet pranë Maleve Alborz, të cilat ngrihen deri në 5 600 metra dhe furnizojnë me ujë disa rezervuarë.

Reklamë

Vitin e kaluar, diga Amir Kabir mbante 86 milionë m³ ujë, por mungesa e reshjeve e ka ulur këtë sasi në mënyrë drastike.

Sipas mediave iraniane, popullsia e Teheranit konsumon rreth 3 milionë m³ ujë në ditë. Si masë kursimi, furnizimi me ujë është ndërprerë në disa lagje në ditët e fundit, ndërsa edhe verën e kaluar ndërprerjet ishin të shpeshta.

Në muajt korrik dhe gusht 2025, ndërprerjet e energjisë elektrike kanë qenë pothuajse të përditshme, ndërsa temperaturat në qytet kapën vlerat mbi 40°C, madje në disa zona tejkaluan 50°C.

“Kriza e ujit është më serioze sesa po diskutohet sot”, paralajmëroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian.

Mungesa e ujit është problem serioz në gjithë Iranin, veçanërisht në provincat e thata në jug, ku ka menaxhim të dobët të sistemit, shfrytëzim të tepruar të ujërave nëntokësorë dhe efekte të shtuara të ndryshimeve klimatike.

Reklamë

Edhe Iraku, fqinj i Iranit, po përjeton vitin më të thatë që nga 1993-i, pasi nivelet e lumenjve Tigris dhe Eufrat kanë rënë deri në 27% për shkak të reshjeve të pakta, duke shkaktuar një krizë humanitare të rëndë në jug të vendit.