Edon Zhegrova ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në fitoren 4-0 të Juventusit ndaj Venezias, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar në këtë përballje.
Ylli i Kosovës e nisi për herë të parë këtë sezon një ndeshje si titullar te Juventusi dhe për herë të parë qëndroi në fushë gjatë të gjitha 90 minutave.
Ai e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë mundësinë e dhënë, duke kontribuar drejtpërdrejt në fitoren bindëse të skuadrës së tij.
Momenti më i rëndësishëm i Zhegrovës erdhi në minutën e 65-të, kur dhuroi një asistim të bukur për Juan Cabal, i cili shënoi me kokë për 3-0.
Përveç asistimit, Zhegrova regjistroi tri gjuajtje, dy prej tyre brenda kuadratit, 48 pasime të sakta nga 56 gjithsej dhe tri driblime të suksesshme nga katër tentativa.
Paraqitja e tij u vlerësua me notën 7.8 nga platforma Sofascore, një tjetër dëshmi e ndikimit që pati në lojën e Juventusit.
Pas kësaj paraqitjeje, Zhegrova duket se i ka dhënë trajnerit Luciano Spalletti arsye të forta për të llogaritur më shumë në të edhe në ndeshjet e ardhshme. Pas pritjes së gjatë për një mundësi si titullar, futbollisti kosovar e shfrytëzoi në mënyrë bindëse rastin e parë për të luajtur nga minuta e parë deri në fund. /Telegrafi/