Autoritetet në Bali kanë pezulluar ndërtimin e një ashensori prej xhami 182 metra të gjatë në një nga shkëmbinjtë më të fotografuar të provincës indoneziane, pas zemërimit të publikut për dëmet mjedisore që ky projekt mund të shkaktojë.
BBC shkruan se ashensori në plazhin Kelingking, i planifikuar nga zhvilluesi kinez China Kaishi Group, synonte të lehtësonte qasjen e vizitorëve në plazh. Por fotografitë e shtyllave të para të ashensorit që përshkon shkëmbin ikonë (i quajtur “shkëmbi T-Rex” për shkak të formës) u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke zemëruar banorët dhe turistët që thonë se po shkatërrohet bukuria natyrore dhe po përshpejtohet erozioni.
Autoritetet zbuluan gjithashtu se projekti nuk kishte marrë lejet e nevojshme.
“Është për të ardhur keq që pamja e bukur e plazhit Kelingking është shkatërruar nga ky projekt ashensori,” tha banori i zonës Made Sediana për gazetën Bali Sun. “Turistët vijnë në Nusa Penida për të shijuar panoramën e mrekullueshme, jo ashensorët.”
“Është budallallëk. Turistët vijnë në Bali për të shijuar natyrën, sepse vendet e tyre janë të mbushura me ndërtesa të larta. Kjo e përkeqëson edhe më shumë,” shkroi një tjetër banor, citon BBC.
Senatorja e Balit, Niluh Djelantik, e cila ka qenë kritike ndaj projektit, tha: “Shumë kohë para se të ndërtohej ky ashensor, ne e kishim shprehur kundërshtimin tonë. Rreziqet janë shumë të mëdha.”
“Shijoni bukurinë e Balit me mençuri. Mos krijoni akses që duket sikur po i çon turistët drejt portave të katastrofës,” shkroi ajo në një postim në Facebook një ditë para se autoritetet të njoftonin pezullimin e punimeve. Nuk është e qartë se sa do të zgjasë pezullimi.
Disa njerëz i bënë thirrje autoriteteve që të riparojnë shkallët që lidhin shkëmbin me plazhin, në vend që të ndjekin projekte “për lavdi personale”. Sipas mediave lokale, projekti i ashensorit kushton 12 milionë dollarë.
Aktualisht, zbritja nga shkëmbi në plazh përmes një shtegu të pjerrët zgjat 45 deri në 60 minuta, ndërsa ngjitja mund të marrë deri në dy orë.
Të tjerë shprehën shqetësimin se lehtësimi i qasjes në plazh mund të rrisë rrezikun e aksidenteve gjatë notit. Edhe pse plazhi ofron pamje mahnitëse, noti nuk lejohet në Kelingking Beach për shkak të vijës bregdetare të ngushtë dhe dallgëve të mëdha, megjithatë, shumë njerëz i injorojnë paralajmërimet, duke çuar në raste të shumta vdekjesh dhe incidentesh.
Sipas BBC-së, investimet kineze në Bali janë në rritje. Për shembull, kompania kineze ChangYe Construction Group ka investuar 3 miliardë dollarë për ndërtimin e aeroportit të dytë të Balit, në partneritet me firmën vendase PT BIBU Panji Sakti.