Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme për kryebashkiak të New York, Zohran Mamdani ka marrë një telefonatë surprizë të shtunën nga ish-presidenti amerikan Barack Obama. Sipas raportimeve, Obama i ka ofruar Mamdanit të jetë një “zë këshillues” dhe t’i japë udhëzime nëse epërsia e tij në sondazhe përkthehet në fitore të plotë më 5 nëntor.

Obama ka vlerësuar gjithashtu fushatën që Mamdani ka zhvilluar kundër rivalëve të tij kryesorë, ish-guvernatorit të New York, Andrew Cuomo, i cili kandidon si i pavarur pas humbjes në primaret demokrate, dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa, themelues i organizatës “Guardian Angels”.

“Mamdani vlerësoi fjalët mbështetëse të presidentit Obama dhe bisedën mbi rëndësinë e sjelljes së një lloj të ri politike në qytetin tonë,” tha zëdhënësja e Mamdanit, Dora Pekec.

Reklamë

Zohran Mamdani, i lindur në Uganda dhe anëtar i Asamblesë Shtetërore të New York, ka rezultuar i pari në sondazhe përpara Cuomos dhe Sliwas. Një sondazh i fundit i Atlas tregon se Mamdani ka 40% mbështetje, gjashtë pikë më shumë se Cuomo (34%) dhe 16 pikë mbi Sliwa (24%).

Fitoret e Mamdanit, një socialist demokrat, filluan më 24 qershor me një triumf bindës në primare, duke surprizuar vëzhguesit politikë. Që atëherë, kandidatura e tij ka marrë mbështetjen e figurave të njohura të partisë, përfshirë ish-zv.presidenten Kamala Harris dhe guvernatoren e New York, Kathy Hochul, ndërsa financimet nga donatorë të vegjël kanë qenë të qëndrueshme dhe të shumta.

Programi politik i Mamdanit synon rritjen e taksave për më të pasurit, rritjen e taksës korporative, ngrirjen e qirave të banesave të stabilizuara dhe zgjerimin e banesave publike të subvencionuara. Komuniteti financiar ka shprehur shqetësim se fitore e Mamdanit mund të ndikojë në konkurrueshmërinë e qytetit.

Nga ana tjetër, ngritja e Mamdanit konsiderohet një sfidë dhe mundësi për demokratët në nivel kombëtar: për të tërhequr votuesit e rinj është e rëndësishme, por kritikat ndaj Izraelit dhe orientimi socialist mund të përdoren nga republikanët si armë politike.