Të paktën shtatë alpinistë, përfshirë pesë të huaj dhe dy nepalezë, kanë humbur jetën pasi janë goditur nga një ortek në një majë të Himalajeve në verilindje të Nepalit, ka njoftuar agjencia e ekspeditave Seven Summit Treks, përcjell Reporteri.net.

Ngjarja ndodhi të hënën, pranë kampit bazë të malit Yalung Ri në distriktin Dolakha.

Shpëtimtarët kanë gjetur dy trupa, ndërsa pesë të tjerë ende po kërkohen dhe besohet se janë nën dëborë. Tetë persona të tjerë janë shpëtuar dhe ndodhen në kryeqytetin Katmandu, ku po marrin trajtim për plagët e tyre.

Reklamë

Të gjithë këta alpinistë ishin pjesë e një grupi që ishte nisur rreth një orë përpara se të binte orteku, ka thënë për BBC Nepali, shefi i policisë së distriktit.

Trupat e pesë alpinistëve të tjerë që kanë ndërruar jetë “mund të jenë 3 deri në 5 metra nën dëborë”, ka deklaruar Mingma Sherpa, kryetari i Seven Summit Treks. “Do të duhet kohë për t’i gjetur.”

Në mesin e viktimave janë dy italianë, një kanadez, një gjerman, një francez dhe dy nepalezë që shërbenin si udhërrëfyes.

Zëvendësshefi lokal i policisë, Gyan Kumar Mahato, i tha BBC-së të hënën se një helikopter shpëtimi kishte zbritur në zonën Na Gaun të Dolakhës — rreth pesë orë ecje larg kampit bazë të Yalung Ri.

Një nga alpinistët e plagosur i tha gazetës The Kathmandu Post se kishin bërë thirrje të përsëritura për ndihmë, por pa rezultat. “Sikur shpëtimi të kishte mbërritur me kohë, mund të ishin shpëtuar më shumë jetë,” i tha ai gazetës nepaleze.

Reklamë

Zoti Mahato u tha gazetarëve se kushtet e këqija atmosferike dhe vështirësitë logjistike e kishin penguar ndërhyrjen, duke e bërë të pamundur fluturimin e helikopterëve apo arritjen në vendngjarje në këmbë.

Sipas The Kathmandu Post, grupi po përgatitej të ngjitej në majen Dolma Khang, me një lartësi prej 6,332 metrash, dhe kishin planifikuar ngjitjen në Yalung Ri (5,630 m) si pjesë të procesit të përshtatjes me lartësinë./Reporteri.net/