Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Drenasit.
Partitë ose kandidatët kanë kohë 48 orë për ankesa, shkruan Reporteri.net.
“Pas shpalljes së rezultateve, duke filluar nga dita e mërkurë (5 nëntor 2025, ora 15:00) subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtyre rezultateve në afat brenda 48 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet në njoftim.
KQZ ka bashkangjitur edhe linkun ku mund të gjenden rezultatet: https://kqz-ks.org/rezultatet/zgjedhjet-per-kuvende-komunale/
Në pikën tjetër, KQZ mori vendim për akreditimin dhe konfirmimin e 8,049 vëzhguesve të 7 subjekteve politike të certifikuara dhe që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ mori vendim edhe për akreditimin dhe konfirmimin e vëzhguesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare, të cilat do të monitorojnë proesin zgjedhor të rrethit të dytë./Reporteri.net