Kjo që mund të jetë beteja më e madhe deri tani në luftën tregtare të Donald Trump, po nis.
Gjykata e Lartë e SHBA-së po dëgjon argumentet mbi ligjshmërinë e tarifave të administratës Trump, pasi një numër biznesesh të vogla dhe një grup shtetesh pretendojnë se shumica e tyre janë të paligjshme dhe duhet të anulohen.
Nëse gjykata u jep të drejtë atyre, strategjia tregtare e Trump do të dëmtohej, duke përfshirë tarifat globale të mëdha, që ai njoftoi për herë të parë në prill. Qeveria gjithashtu ka të ngjarë të duhet të rimbursojë disa miliardë dollarë, që ka mbledhur përmes tarifave, të cilat janë taksa mbi importet.
Pas seancës të mërkurën, gjyqtarët do të shqyrtojnë argumentet dhe do të diskutojnë çështjen, gjë që mund të zgjasë muaj. Në fund do të mbajnë një votim. Trump e ka përshkruar situatën në terma epikë, duke paralajmëruar se një humbje do t’i lidhte duart në negociatat tregtare dhe do të rrezikonte sigurinë kombëtare.
Të dielën, presidenti tha se nuk do të marrë pjesë personalisht në séance, pasi nuk donte të shkaktonte një shpërqendrim.
Trump më parë tha se nëse nuk fiton çështjen, SHBA-ja do të “dobësohet” dhe do jetë në një katastrofë financiare për shumë vite që vijnë.
Rreziku duket po aq i lartë për shumë biznese në SHBA dhe jashtë vendit, të cilat kanë paguar çmimin, ndërkohë që janë përballur me politika që ndryshojnë shpejt. Pak biznese, shpresojnë në një fitore në gjykatë.
“Jemi shpresëplotë se kjo do të shpallet e paligjshme, por të gjithë po përgatitemi gjithashtu për mundësinë që tarifat të hyjnë në fuqi”, tha Bill Harris, bashkëthemelues i Cooperative Coffees me bazë në Georgia.
Kjo kooperativë, që importon kafe nga më shumë se një duzinë vendesh, tashmë ka paguar rreth 1.3 milion dollarë tarifa, që nga prilli.
Një test për fuqinë presidenciale të Trump
Në vendimmarrjen për këtë çështje, Gjykata e Lartë do të duhet të trajtojë një pyetje më të gjerë: Sa larg shkon fuqia presidenciale?
Analistët ligjorë thonë se është e vështirë të parashikohet përgjigjja e gjyqtarëve, por një vendim që i jep të drejtë Trumpit, do t’i jepte atij dhe pasardhësve në Shtëpinë e Bardhë, një shtrirje më të madhe.
Specifikisht, çështja ka të bëjë me tarifat që administrata Trump i vendosi duke përdorur Ligjin për Fuqitë Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare të vitit 1977 (IEEPA), të cilin Shtëpia e Bardhë e ka përqafuar për shpejtësinë dhe fleksibilitetin. Duke shpallur një emergjencë nën këtë ligj, Trump mund të japë urdhra të menjëhershëm dhe të anashkalojë proceset e vendosura më gjatë.
Trump e përdori ligjin për herë të parë në shkurt për të taksuar mallra nga Kina, Meksika dhe Kanadaja, duke thënë se trafikimi i drogës nga këto vende përbënte një emergjencë.
Ai e përdori përsëri në prill, duke urdhëruar taksa nga 10% deri në 50% mbi mallrat nga pothuajse çdo vend në botë. Këtë herë, ai tha se deficiti tregtar i SHBA-së, ku SHBA-ja importon më shumë se sa eksporton, përbënte një “kërcënim të jashtëzakonshëm dhe të pazakontë”.
Ato tarifa u zbatuan gradualisht gjatë kësaj vere ndërsa SHBA-ja shtynte vendet të nënshkruanin marrëveshje.
Kundërshtimet
Kundërshtarët thonë se ligji autorizon presidentin të rregullojë tregtinë, por kurrë nuk përmend fjalën “tarifa”, dhe ata pretendojnë se vetëm Kongresi mund të vendosë taksa sipas Kushtetutës së SHBA-së.
Anëtarë të Kongresit nga të dy partitë kanë theksuar se Kushtetuta u jep atyre përgjegjësinë për krijimin e tarifave, detyrimeve dhe taksave.
Më shumë se 200 demokratë në të dyja dhomat dhe një republikan, Senatori Lisa Murkovski, paraqitën një ankesë në Gjykatën e Lartë, ku gjithashtu argumentuan se ligji i emergjencës nuk i jepte presidentit fuqinë për të përdorur tarifat si mjet për të fituar ndikim në bisedimet tregtare.
Ndërkohë, në fund të tetorit, Senati bëri një lëvizje simbolike për të miratuar tre rezoluta që refuzonin tarifat e Trump, përfshirë një për të përfunduar emergjencën kombëtare. Ato nuk pritet të miratohen në Dhomën e Përfaqësuesve.
Megjithatë, grupet e biznesit thanë se shpresonin që ky kundërshtim të dërgonte një mesazh tek gjyqtarët.