Ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Shaban Osmanaj, ka reaguar pas deklaratës së Zafir Berishës, i cili gjatë një emisioni televiziv përdori termin “furragji” për qytetarët e Hasit.

Në reagimin e tij, Osmanaj tha se gjuha e përdorur nga Berisha është “denigruese, e papranueshme dhe ofenduese jo vetëm për banorët e Hasit, por për të gjithë ata që respektojnë dinjitetin dhe vlerat njerëzore”.

“Hasjanët janë të njohur për punën, ndershmërinë dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në Kosovë e më gjerë. Përdorimi i gjuhës fyese ndaj tyre nuk përçon asnjë mesazh politik apo shoqëror – përkundrazi, përçon përçarje dhe nxit paragjykime që nuk i shërbejnë askujt”, tha ndër të tjera Osmanaj, duke i bërë thirrje Berishës që të kërkojë falje publike.

Reklamë

Në një reagim të menjëhershëm, Zafir Berisha i është përgjigjur me tone ofenduese Osmanajt, duke përdorur gjuhë fyese në drejtim të tij dhe duke mohuar se kishte qëllim të ofendonte hasjanët.

Për deklaratën e Zafir Berishës ka reaguar edhe kryetari i Prizreni, Shaqir Totaj dhe asamblisti i LDK-së nga Hasi, Haziz Hodaj.