Presidenti amerikan Donald Trump është vënë në qendër të kritikave nga liderët botërorë në prag të samitit global për klimën COP30, që po zhvillohet në qytetin amazonik Belém të Brazilit.

Trump, i cili nuk merr pjesë në samit, u cilësua nga disa udhëheqës si “gënjeshtar” dhe “kundër njerëzimit” për shkak të refuzimit të shkencës klimatike dhe rishfuqizimit të politikave mjedisore të vendosura më parë nga administrata amerikane, raporton BBC.

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer pranoi se “konsensusi politik global për ndryshimet klimatike është zbehur”, duke shtuar se “dikur kjo ishte një çështje që bashkonte politikën, sot, fatkeqësisht, ajo e ndan atë”.

Reklamë

Ndërkohë, Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, pa e përmendur drejtpërdrejt Trumpin, paralajmëroi për “forcat ekstremiste që përhapin lajme të rreme dhe po dënojnë brezat e ardhshëm të jetojnë në një planet të ndryshuar përgjithmonë nga ngrohja globale”.

Liderët e Kilës dhe Kolumbisë shkuan edhe më tej, duke e quajtur hapur presidentin amerikan “gënjeshtar” dhe duke u bërë thirrje shteteve të tjera të mos ndikohen nga qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë.

“Shkenca është e qartë. Është shumë e rëndësishme të mos falsifikojmë të vërtetën”, tha për BBC-në Maisa Rojas, ministre e Mjedisit e Kilit.

Në shtator, gjatë një fjalimi në OKB, Trump kishte deklaruar se ndryshimet klimatike janë “mashtrimi më i madh i bërë ndonjëherë ndaj botës”, duke refuzuar gjithashtu përdorimin e energjive të rinovueshme.

“Koncepte globaliste që kërkojnë nga vendet e industrializuara të dëmtojnë veten dhe të shkatërrojnë shoqëritë e tyre duhet të refuzohen plotësisht”, tha ai.

Reklamë

Britania tërhiqet nga fondi për pyjet tropikale

Një tjetër moment që tronditi samitin ishte vendimi i Britanisë për të mos marrë pjesë në fondin prej 125 miliardë dollarësh “Tropical Forests Forever Facility”, nismë e drejtuar nga Brazili për mbrojtjen e pyjeve të shiut.

Fondi synon të mbledhë 25 miliardë dollarë nga vendet e zhvilluara, për të mbështetur ruajtjen e Amazonës dhe pellgut të Kongos, dy prej ekosistemeve më jetike për klimën globale.

Ish-ministri britanik i mjedisit, Lord Zach Goldsmith, tha për BBC se “vendimi i minutës së fundit i Londrës ka shkaktuar zhgënjim dhe zemërim në prapaskenat e samitit”.

Reklamë

“Pritshmëria ishte që Britania të ishte në krye të këtij fondi dhe papritur u tërhoq”, shtoi ai.

Ky qëndrim bie ndesh edhe me fjalën e Princit William, i cili lavdëroi fondin si “një hap vizionar drejt vlerësimit të natyrës si faktor kyç në stabilitetin klimatik” dhe e përfshiu në listën e ngushtë të çmimit të tij “Earthshot”.

“Le të jemi brezi që ndryshoi rrjedhën, jo për duartrokitje, por për mirënjohjen e heshtur të atyre që ende s’janë lindur”, tha princi britanik në fjalimin e tij.

Sfida të mëdha përpara

Reklamë

Samiti COP30, që do të zgjasë dy javë, ka si qëllim arritjen e një marrëveshjeje të re për reduktimin e emetimeve dhe rritjen e fondeve për mbrojtjen e pyjeve, megjithëse mungesa e liderëve të vendeve më të mëdha si SHBA, Kina, India dhe Rusia e ka bërë atmosferën politike të ftohtë.

Vetëm pak dhjetëra liderë kanë mbërritur në Belém, ndërsa shumica e vendeve nuk kanë dorëzuar ende plane të reja për uljen e emetimeve.

Kjo ndodh në një periudhë kur bota po përballet me mot ekstrem, përfshirë uraganin Melissa që la pas mbi 75 viktima në Karaibe, dhe që sipas një studimi të Imperial College, u përkeqësua me 16% për shkak të ndryshimeve klimatike.