Tajfuni Kalmaegi ka mbërritur në brigjet e Vietnamit të enjten, 6 nëntor 2025, pasi më parë kishte shkaktuar të paktën 114 viktima dhe përmbytje shkatërruese në Filipine.
Erërat arritën deri në 149 km/h, duke goditur zonat bregdetare me fuqi të jashtëzakonshme, raporton BBC. Autoritetet njoftuan se më shumë se 260 mijë ushtarë janë vendosur në gatishmëri për operacionet e shpëtimit, ndërsa gjashtë aeroporte janë mbyllur dhe qindra fluturime pritet të pezullohen.
Ministria vietnameze e Mjedisit konfirmoi se stuhia ka hyrë në tokë në provincat Dak Lak dhe Gia Lai, ndërsa qindra zona të tjera rrezikohen nga përmbytje dhe rrëshqitje dherash në orët e ardhshme. Raportet nga disa provinca flasin për çati të rrënuara, dritare të thyera në hotele dhe pemë të shkulura, ndërsa në qytetin Quy Non dëmet në infrastrukturë janë të konsiderueshme.
Tajfuni preku tokën në orën 19:29 me orën lokale, dhe brenda pak minutash, dhjetëra familje në Dak Lak raportuan shembje banesash dhe përmbytje të rënda. Stuhia ka shkaktuar edhe valë deri në 8 metra në Detin e Kinës Jugore.
Sipas BBC-së, ushtria vietnameze ka mobilizuar mijëra mjete, përfshirë 6 avionë dhe mbi 6 mijë e 700 pajisje të ndryshme për ndihmë emergjente. Kryeministri Pham Minh Chinh zhvilloi një takim urgjent online, duke bërë thirrje për mbrojtje të banorëve në zonat e izoluara.
“Askush nuk duhet të mbetet i uritur apo në të ftohtë”, tha ai.
Në Filipine, ku tajfuni njihet si Tino, pasojat kanë qenë katastrofike. Përveç viktimave, dhjetëra mijëra persona janë evakuuar, sidomos në ishullin Cebu, ku reshjet e shiut për 24 orë arritën sa një muaj të tërë. Përmbytjet kanë shkatërruar lagje të tëra, duke marrë me vete automjete, autobusë e madje edhe kontejnerë transporti.
Një banore e qytetit Talisay, Mely Saberon, i tha BBC-së “Nuk kemi më shtëpi. Nuk arritëm të shpëtonim asgjë. Kemi kaluar shumë tajfune, por ky ishte ndryshe.”
Presidenti filipinas, Ferdinand Marcos Jr, ka shpallur gjendje emergjence në vend, për shkak të dëmeve masive dhe ndërprerjes së jetës normale në zonat e prekura.
Ndërkohë, edhe Vietnami ka qenë nën trysninë e përmbytjeve rekord që prej javës së kaluar. Qytete turistike si Hue dhe Hoi An janë përmbytur, ndërsa banorët janë detyruar të lëvizin me varka druri nëpër rrugët e qytetit.
Parashikimet e qendrës kombëtare të motit paralajmërojnë rritje të nivelit të detit nga 4 deri në 6 metra, që mund të dëmtojë rëndë komunitetet bregdetare dhe fermat detare. Zyrtarët vietnamezë krahasojnë Kalmaegin me tajfunin Damrey të vitit 2017, i cili megjithëse më i dobët, shkaktoi dëme të rënda në rajon.