Pas shfaqjes së dronëve të paautorizuar në hapësirën ajrore të Belgjikës, Britania ka dërguar personel dhe pajisje ushtarake për të dhënë ndihmën e saj në forcimin e mbrojtjes ajrore.
Njoftimi u dha nga shefi i ushtrisë britanike, Richard Knighton, i cili në një intervistë për BBC deklaroi se homologu i tij belg kishte kërkuar bashkëpunim.
“Kam folur me homologun tim belg gjatë javës dhe ai më pyeti nëse mund t’i mbështesnim. Unë dhe Sekretari i Mbrojtjes ramë dakord që të dërgonim personel dhe pajisjet tona në Belgjikë për t’i ndihmuar ata. Eshtë e rëndësishme të jemi të qartë se ne nuk e dimë dhe belgët ende nuk e dinë origjinën e këtyre dronëve”.
Megjithatë, ai pranon se Rusia ka qenë e përfshirë në një lufte hibride vitet e fundit.
“Ne e dimë që ka pasur sabotim. Kështu, për të ashtuquajturën luftë hibride duhet të forcohemi”.
Dronë janë shfaqur mbi aeroporte dhe baza ushtarake në Belgjikë gjatë javës së fundit, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në të gjithë Evropën në muajt e fundit.
Sa i përket akuzave, Rusia ka mohuar çdo lidhje me incidente të tilla.