Inter fitoi 2–0 sfidën e javës së 11-të të Serie A me Lacion dhe u ngjit në krye të renditjes me pikë të barabarta me Romën.
Kapiteni Lautaro Martinez kaloi në avantazh zikaltërit pas 125 sekondash lojë. Edhe pse futbollistët e Lacios bënë përpjekjet e tyre për të shënuar, ishin përsëri ata të Interit që festuan.
Bonny, i cili u shpall edhe më i miri i takimit të luajtur të dielën në “San Siro”, realizoi golin e dytë në minutën e 62’. Një rezultat shumë i mirë para derbit me Milanin, që do të luhet më 23 nëntor.
Roma mundi po 2–0 Udinezen. Pellegrini me 11-metërsh dhe Çelik realizuan golat, duke vërtetuar se është një nga skuadrat më në formë të momentit.
Një tjetër paraqitje e dobët për Atalantën, që u mund 3–0 në shtëpi nga Sassuolo. Berat Gjimshiti ishte në fushë gjatë pjesës së dytë, por pa mundur të ndihmojë bergamaskët, të cilët kanë nisjen më të dobët të kampionatit në 11 vitet e fundit.