Adele do të debutojë si aktore në filmin e ardhshëm të ish-stilistit Tom Ford, “Cry to Heaven”.
Këngëtarja do të gjendet krah emrave Nicholas Hoult, Aaron Taylor-Johnson, Colin Firth, Paul Bettany dhe yllit të “Adolescence”, Owen Cooper.
Filmi është një përshtatje e romanit të vitit 1982 të Anne Rice, ngjarjet e të cilit vendosen në botën e shek. XVIII dhe flet për “të kastruarit”, këngëtarët meshkuj që kastroheshin që mos t’u dëmtohej zëri.
Ford do të jetë regjisor, producent dhe skenarist i filmit, por rolet që do t’u caktohen Adele dhe yjeve të tjerë nuk janë zbuluar ende.
Në libër rrëfehet historia e dy të kastruarve që kthehen në këngëtarë të suksesshëm opere në Venecia dhe jetët e tyre janë të ndërlidhura.
Në kast do të përfshihen edhe Ciarán Hinds, George MacKay, Mark Strong, Hunter Schafer dhe Thandiwe Neëton.
Adele e publikoi albumin e fundit katër vite më parë dhe prej një viti kur përfundoi me koncertet në Las Vegas, ka qëndruar larg vëmendjes.
Ajo tha se mendonte që të merrte “një pushim të gjatë” pas koncerteve dhe donte “të bënte edhe gjëra të tjera kreative për pak kohë.”
Ford është një prej emrave më të mëdhenj të modës, por ka realizuar edhe dy filma të suksesshëm, “A Single Man” në 2009 dhe “Nocturnal Animals” në 2016 që i siguroi dy nominime Bafta.
Në vitin 2022, ai ia shiti markën e tij Estee Lauder për 2.8 miliardë dollarë para se të thoshte që “do t’i jepte lamtumirën modës” dhe “do të kalonte 20 vitet e ardhshme të jetës duke bërë filma.”