Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, pretendon se auditimi i kryer nga kompania Cetis ka zbuluar gabime në kodet e vendvotimeve në disa fletëvotime në 18 komunat ku ka pasur balotazh, përfshirë edhe Gjakovën dhe Mitrovicën.
Sipas pretendimit të Alban Krasniqit, gabime në kodet e vendvotimeve janë identifikuar në 18 komuna: Gjakovë 171 fletëvotime, Gjilan 151, Dragash 54, Kaçanik 51, Klinë 71, Fushë Kosovë 71, Mitrovicë e Jugut 124, Obiliq 28, Rahovec 90, Pejë 169, Prishtinë 312, Prizren 273, Suharekë 101, Viti 71, Vushtrri 107, Junik 7, Mamushë 6 dhe Kllokot 5, duke përbërë gjithsej 1748 fletëvotime të prekur.
Krasniqi thekson se, sipas tij, vullneti qytetar mbetet i shenjtë dhe integriteti zgjedhor nuk është cenuar, duke shtuar se çështjet teknike duhet të adresohen që të mos përsëriten në të ardhmen.
“Mashtrimi nuk kalon! Vullneti qytetar është i shenjtë. Integriteti zgjedhor është i pacenuar. Çështjet teknike do të adresohen që mos të përsëriten në të ardhmen. URIME!” , shkruan Krasniqi.