Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, u vlerësua me çmimin prestigjioz “Di Stéfano” nga gazeta sportive MARCA.

Sulmuesi u zgjodh si më i miri i sezonit, duke lënë pas emra të njohur të futbollit botëror, si Kylian Mbappé, Vinícius Jr., Pedri dhe Raphinha, falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera që i dhanë më shumë vota.

Vetëm 18 vjeç, Yamal po grumbullon shumë tituj që shumë lojtarë nuk arrijnë t’i fitojnë gjatë gjithë karrierës së tyre.

Reklamë

Ai tha se ky vlerësim erdhi falë mbështetjes së ekipit.

“Të gjithë titujt individualë tregojnë se ka qenë një sezon i shkëlqyer për ekipin. Për mua, është një burim lumturie dhe krenarie. Të grumbulloj çmime në moshën time është diçka shumë pozitive. Unë do të vazhdoj të punoj dhe të luftoj për të arritur gjëra të tilla!”

Yamal foli edhe për kthimin në “Camp Nou” e rindërtuar, pas qëndrimit të përkohshëm në Montjuïc.

“Për tifozët do të thotë shumë! Kemi luajtur në një fushë që nuk ishte e jona. Montjuïc ishte mirë, por nuk ishte ajo që donim. Camp Nou do të jetë një mbështetje e madhe për të gjithë dhe do t’i shtojë shumë pjesës tjetër të sezonit!”

Sa i përket të ardhmes, 18-vjeçari ka ambicie të mëdha.

Reklamë

“La Liga, Champions League, Kupa e Botës apo Topi i Artë? I dua të gjitha! Shpresoj t’i fitoj të gjitha, dhe për sa kohë që mund të luaj, është e mundur të arrihet!”

Vëmendja është e madhe te Yamal, i cili konsiderohet një nga shpresat më të mëdha të Barcelonës.