Pas fishkëllimave që mori futbollisti Granit Xhaka gjatë lojëss në Prishtinë, babai i tij, Ragip Xhaka, ka reaguar përmes një postimi të ndjerë në rrjetet sociale.
Në postim, Ragip shpreh krenarinë për Granitin dhe vëllain e tij, Taulantin, duke theksuar se çdo vendim që ka marrë gjatë jetës ka qenë për të mësuar fëmijët e tij të jenë të drejtë, të ndershëm dhe të fortë.
“Desha që ju të rriteni të drejtë, të ndershëm, të fortë dhe të paepur. Ju mësova si luftohet dhe si qëndrohet përballë më të këqijve. Jam krenar, biri im,” shkruan ai.
Ragip Xhaka gjithashtu nënvizon dashurinë e tij për familjen dhe atdheun: “Ju jeni dhe do të mbeteni dy zemrat e krenarisë sime. Për gjithçka që jeni dhe gjithçka që keni bërë, unë jam krenar pa masë me ju.”
Postimi vjen pas një serie reagimesh në publik ndaj performancës dhe prezencës së Granit Xhakës në Prishtinë, duke rikthyer fokusin tek vlerat dhe edukimin që familja e tij i ka dhënë dy futbollistëve.