×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Telegram ngushëllimi

    Kurti për Shpat Kasapin: Një ikje e tillë, dhemb shumë – brezat e pasluftës janë rritur me këngët e tij

    Reporteri
    26 Nëntor 2025 | 14:55

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Kasapi pas vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi.

    “Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik”, ka shkruar Kurti.

    Telegrami i plotë:

    E nderuar familja Kasapi,

    Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit. Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.

    Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik. Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin. Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

    Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje.

    Me respekt të thellë,

    Albin Kurti

    Kryeministër i Republikës së Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!