Kievi ka nisur një fazë të re të luftës kundër Rusisë. Sulme të drejtpërdrejta ndaj infrastrukturës energjetike të Moskës.
Objektivi kryesor? Tubacionet dhe rrjeti i naftës që furnizon ekonominë dhe ushtrinë ruse. Por ndërsa shtrëngon goditjet ndaj energjisë, Ukraina po përballet me vështirësi serioze në frontin e Pokrovsk-it dhe në zona të tjera të Donetsk-ut.
Tubacioni Druzhba, një nga më të mëdhenjtë në botë, 9 mijë kilometra i gjatë dhe me kapacitet deri në 2 milionë fuçi në ditë, u godit të martën natën nga një shpërthim i aktivizuar në distancë, në territor rus dhe bjellorus, vetëm 40 kilometra nga kufiri ukrainas.
Ky është sulmi i pestë në pak muaj dhe më i rëndë deri tani.
Hungaria e Viktor Orbánit dhe Sllovakia e Robert Ficos, të dyja thellësisht të varura nga energjia ruse, e kishin paralajmëruar Kievin të mos prekte tubacionin. Vetëm pak ditë më parë, Orbán deklaronte në Kremlin se Budapesti do të vazhdonte të blinte energji nga Moska pavarësisht politikave të BE-së.
Por shpërthimi erdhi. Dhe mesazhi është i qartë: shër$Bimi ukrainas i inteligjencës, GUR, ka marrë urdhër të godasë fort energjinë ruse.
Kjo strategji shpjegon edhe: fundosjen e dy “petroliereve-hije” ruse në Detin e Zi, që devijonin sanksionet; zjarrin misterioz në një anije që ngarkonte naftë pranë brigjeve të Senegalit.
Sipas një burimi të inteligjencës së Kievit, “rrjeti i naftës që financon shtetin agresor dhe kompleksin e tij ushtarak do të vazhdojë të digjet derisa agresioni të përfundojë”.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e rëndë. Ukraina po hyn në dimrin e katërt të luftës dhe, sipas analistëve, kjo “luftë e gazit dhe energjisë” është elementi më i ri i kundërofensivës së saj, ndërsa në frontet tokësore po has pengesa serioze.
Në Pokrovsk dhe në disa pika të Donetsk-ut, forcat ukrainase po tërhiqen.
Përgjatë 1 mijë e 300 kilometrave të vijës së frontit, ushtria është nën presion të vazhdueshëm.
Në buxhetin e ri të shtetit, 100% e të ardhurave të këtij viti shkon për mbrojtjen: 57 miliardë euro për ushtrinë dhe vetëm 20 milionë për kopshtet e fëmijëve të zhvendosur nga lufta.
Rusia, ndërkohë, po godet rëndë rajonin e Zaporizhias, një zonë kyçe që Kremlini dëshiron ta aneksojë, pasi aty ndodhet gati gjysma e prodhimit bërthamor të Ukrainës.
Kievi po përgatit gjithashtu dosjet më të nxehta për krimet e luftës, të cilat, sipas draftit të planit të paqes të diskutuar pesë orë në Moskë, do të mund të fshiheshin me një amnisti të përgjithshme.
“Nuk e dimë nëse Putin do të përballet ndonjëherë me drejtësinë, thotë një burim i prokurorisë speciale të Ukrainës, por njerëzit e tij, po.”
Figura më e zymtë mes tyre është Ilya Sorokin, i njohur nga të burgosurit ukrainas si “Doktor Evil”: Një infermier rus në koloninë penale nr.10 në Mordovi, i akuzuar për tortura sistematike ndaj ushtarëve ukrainas.
SBU-ja ka përgatitur një dosje të plotë për ta dërguar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Dëshmitë e të burgosurve janë tronditëse:
Sorokin nuk u jepte të plagosurve barna kundër dhimbjes; u mohonte fashat ushtarëve me plagë të rënda; i linte të gjakoseshin qëllimisht; përdorte një armë paralizuese për t’u shkaktuar humbje ndjenjash, me justifikimin cinik se “kështu ndjenin më pak dhimbje”.
Teksa Ukraina zgjeron sulmet kundër infrastrukturës energjetike ruse, lufta në terren mbetet po aq e ashpër. Goditjet ndaj rrjetit të naftës së Kremlinit po sinjalizojnë një fazë të re të konfliktit, por frontet në Donbas vazhdojnë të sfidojnë rëndë mbrojtjen e Kievit./tvklan/