Fermerët në të gjithë Greqinë po vazhdojnë protestat me bllokimin e autostradave në të gjitha rajonet e vendit fqinj, duke shtuar numrin e protestuesve dhe traktorëve në rrugë.

Paralizë e plotë në Greqinë qendrore, zonë e goditur nga përmbytjet, ku autostrada kombëtare Athinë-Selanik dhe E65 mbeten të pakalueshme për trafikun e rregullt, duke shkaktuar ndërprerje masive.

Si pasojë e protestave, edhe aksi që lidh vendin tonë me Greqinë, Kakavijë-Janinë do të jetë i mbyllur për disa orë.

Reklamë

Përveç bllokimit të qarkullimit, protestuesit janë përplasur me policinë e cila ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Tubimi nisi fillimisht në akset qendrore të vendit në fillim të kësaj jave, ndërsa rrugë shtesë po mbyllen çdo ditë e më shumë, ku përveç qarkullimit, fermerët synojnë të ndikojnë edhe transportin e mallrave.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë presionin deri të dielën përpara se të marrin një vendim për javën e ardhshme.

Fermerët kërkojnë subvencione dhe pagesa kompensimi të vonuara, kosto më të ulëta prodhimi dhe mbështetje më të madhe për sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë.