Nuk ka qetësi te Real Madrid. Eder Militao është lojtari i radhës që i shtohet infermierisë. Klubi njoftoi se braziliani ka pësuar një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së majtë.

Koha e rikuperimit nuk bëhet e ditur zyrtarisht, por sipas mediave spanjolle ai pritet të mungojë deri në prill. Lajmi vjen në një moment të vështirë për trajnerin Xabi Alonso, teksa skuadra po kalon një periudhë me rezultate të dobëta.

Mbrojtësi brazilian u dëmtua në ndeshjen e 7 dhjetorit ndaj Celta Vigos dhe doli nga fusha në minutën e 24-të. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një këputje të muskulit me përfshirje të tetivës, duke e detyruar lojtarin të qëndrojë jashtë për disa muaj.

Reklamë

Ky është një problem shtesë për Real Madridin, që ka disa mungesa në repartin defensiv. Arnold, Carvajal, Mendy dhe Huijsen janë gjithashtu jashtë për shkak dëmtimesh. Situata e krijuar shton vështirësitë për krijimin e një linje të qëndrueshme mbrojtëse.

Klubi njoftoi se Militao do të monitorohet gjatë gjithë periudhës së rikuperimit. Mjekët e klubit kryen ekzaminimet që konfirmuan natyrën e dëmtimit. Real Madrid nuk ka dhënë një datë të saktë rikthimi, por afati parashikohet pranverën e vitit të ardhshëm.