Një “përplasje” politike rrezikon që të prishë planet e Iranit dhe njërit prej yjeve të tij në prag të Kupës së Botës që do të nisë në qershor. Mehdi Taremi, sulmues 33-vjeçar, ish-lojtar i Interit dhe Portos dhe aktualisht te Olympiacos, mund të detyrohet ta shohë Botërorin 2026 nga televizioni për shkak të tensioneve mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara, që është vendi kryesor mikpritës i këtij Botërori.
Problemi lind nga zbatimi i një urdhri ekzekutiv të vitit 2025 që kufizon hyrjen në SHBA për qytetarët e 19 vendeve, përfshirë Iranin. Por për Taremin ekziston edhe një pengesë shtesë specifike. Sulmuesi ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Marinë, gjë që mund t’i çojë autoritetet amerikane t’i mohojnë vizën e hyrjes, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në turne.
Edhe pse FIFA ka dhënë garanci, duke siguruar se kombëtarja iraniane dhe stafi teknik do të mund të marrin pjesë në Kupën e Botës pa pengesa burokratike, në Teheran nuk janë plotësisht të bindur. Mehdi Taj, presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, e ka pranuar se duhet të kenë një Plan B: “Duhet të marrim parasysh disa opsione për Kupën e Botës, në mënyrë që, nëse vendosin të mos lejojnë një lojtar të caktuar, të kemi një alternativë të gatshme”, ka thënë ai.