×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Foto

    Përfundon qetësisht protesta në Shkup, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Reporteri
    13 Dhjetor 2025 | 14:39

    Saktësisht një orë ka zgjatur protesta e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Shkup, ku u kërkua liri për krerët e Ushtrisë Çlirimtare që po mbahen në Hagë.

    Fjalime mbajtën, kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, veterani dhe invalidi i UÇK-së, Berat Hajdari, veterani i UÇK, Hasan Haklaj, dhe Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, shkruan Reporteri.net.

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se procesi në Hagë kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve duhet të përfundoj me epilog të pafajësisë.

    “Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë sepse Hashim Thaçi, Kadri Veslei, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen në Hagë akuzohen për vepra të pabëra”.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë kurrë kriminale, por një forcë çlirimtare që mbrojti kombin dhe qytetarët e saj, shkruan Reporteri.net.

    ‘UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Europës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, tha Gucati.

    Veterani i UÇK, Hasan Haklaj, ka thënë e tri shkronjat e arta të alfabetit shqip janë UÇK.

    ‘Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, ka thënë Haklaj.

    Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, kërkoi liri për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Ajo ka theksuar se UÇK-ja nuk ishte një ushtri pushtuese, por një ushtri çlirimtare që luftoi për liri.

    “Çdo fytyrë këtu është gurthemel i lirisë sonë. Unë si bij dëshmori qëndrojë para jush me një emocion, ndjenjë përgjegjësi dhe plagë e pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminel”, tha ajo.

    Veterani dhe invalidi i UÇK-së, Berat Hajdari, tha se ish-komandantët e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht.

    “Jemi mbledhur këtu për një kauzë që na dhemb, që na prek zemrat, historinë dhe identitetin, por mbi të gjitha na bashkon. Na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK, të cilët po gjykohen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë ai.

    Ai tutje tha se në këtë protestë po kërkohet drejtësi dhe jo hakmarrje.

    Vlen të theksohet se protesta nisi dhe përfundoi pa asnjë incident të vetëm të raportuar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!