Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për nisjen e votimit në përfaqësitë diplomatike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se votimi ka nisur në 25 përfaqësi diplomatike dhe se deri në orën 09:00 kanë votuar 1 mijë e 659 prej tyre apo 8.64 për qind, nga 19 mijë e 187 votues, shkruan Reporteri.net.
Tutje Elezi ka treguar se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme pasi në listën votuese që janë dërguar në këto përfaqësi janë vetëm emrat e shtetase që kanë zgjedhur këtë mënyrë të votimit.
Elezi ka njoftuar se procesi i votimit në ora 05:00 sipas kohës lokale në Kosovë ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll.
“Ndërsa në ora 07:00 po ashtu sipas kohës lokale në Kosovë votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike që ndodhen në Evropë”, deklaroi Elezi. /Reporteri.net/.