Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë natë kritike për qarkullimin rrugor, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave dhe lagështisë në rrugë.
Sipas Kurtit, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu mund të ngrijnë, duke vështirësuar qarkullimin.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe rritjes së sigurisë.
Kryeministri në detyrë ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë ligjin për sezonin dimëror, duke i pajisur automjetet me goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe ka bërë thirrje që të shmangen lëvizjet e panevojshme gjatë natës.
“Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë, andaj ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme dhe duke vozitur me kujdes”, ka theksuar Kurti.