Albulena Haxhiu ka mbajtur fjalimin e saj të parë në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke u zotuar se do të punojë në shërbim të Republikës me ndershmëri dhe vizion.

Në adresimin e saj para deputetëve, ajo theksoi se Kuvendi do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Haxhiu në fjalimin e saj përmendi edhe luftën e UÇK-së, si dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të saj.

Reklamë

“Lufta e UÇK ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka bërë krime në vendin tonë, ato janë të regjistruara dhe të dëshmuara nga bota mbarë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë asnjëherë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze, përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre dhe që këto orvatje të prokurorisë të marrin fund sa më parë. Për këtë duhet të jemi bashkë. Prandaj të dashur deputetë, në veçanti për çështje të interesit kombëtar duhet të flasim me zë të qartë e të kemi qëndrim të përbashkët me zotimin se kjo republikë ka institucione që i dalin zot edhe në momentet më të vështira”, tha Haxhiu.

Kryetarja e re e Kuvendit theksoi se institucioni që ajo drejton është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve, duke shtuar se shteti u shërben të gjithëve pa dallim.