Një ditë para shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mbajtjes së marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, do ta vizitojë Kosovën.

Agjencia për Media dhe Informim e Shqipërisë ka bërë publike agjendën e vizitës së kryeministrit Rama në Kosovë.

Sipas njoftimit të Qeverisë shqiptare, Rama do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me Kryeministrin, Albin Kurti.

Reklamë

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kryeministri Rama do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe më pas me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit, Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si dhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit Gjimnazi “Sami Frashëri”.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për masat që do të ndërmerren gjatë parakalimit të eskortës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në njoftimin zyrtar thuhet se më 16 shkurt 2026, gjatë vizitës së Ramës në Kosovë, Policia do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për menaxhimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit.

“Për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare – Aeroporti – si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Po ashtu, mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim./Reporteri.net/

Reklamë