Marrja në pyetje e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në Prokurori ka përfunduar pas gjashtë orësh.

Grubi është dërguar në Gjykatën Penale në Shkup, ku do të nxirret para një gjyqtari për procedurë paraprake.

Aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Prokuroria nëse do të këmbëngulin në paraburgim efektiv apo do të propozojnë një masë më të butë, duke marrë parasysh se Grubi u kthye në vend vetë dhe hetimi tashmë ka përfunduar.

Reklamë

Ai u arrestua mëngjesin e sotëm.

Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria. Ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje shtesë mbi fazën aktuale të procedimit penal.

“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ai është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

Reklamë

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.