Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka shkruar për Kosovën dhe ëndrrën e saj drejt Botërorit që u shua nga Turqia, pas humbjes që pësoi në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Reuters shkruan Turqia i dha fund një pritjeje 24-vjeçare për t’u kualifikuar në Kupën e Botës duke mposhtur Kosovën 1-0 në finalen e playoff-it të martën, duke vulosur një rikthim në skenën më të madhe të futbollit për herë të parë që nga viti 2002 kur arritën në gjysmëfinale.

Megjithatë paraqitja e kombëtares së Kosovës u vlerësua.

Reklamë

Reuters shkruan se duke luajtur para një turme të mbushur plot, humbja i dha fund një rrugëtimi të jashtëzakonshëm që i kishte çuar ata në prag të një debutimi historik në një turne të madh, më pak se një dekadë pasi iu bashkuan FIFA-s dhe UEFA-s.

“Vendasit shtynë përpara në fazat e fundit, duke marrë rreziqe në kërkim të një goli barazimi dhe duke krijuar disa raste, por nuk arritën ta mposhtnin Turqinë”, shkruan Reuters.

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda foli pas humbjes nga Turqia, tha se nuk e ka plan ta lë Kosovën.

“Kam pasur arsyen time që kam ardhur te Kosova, qëllimi ishte Evropiani që të kualifikohemi, sonte dështuam. Çdo gjë ka shkuar më shpejt se ç’kemi menduar. Qëllimi ynë mbetet Evropiani”, tha ai.

“Jo nuk e kam plan ta lë Kosovën, më pëlqen vendi dhe njerëzit”, shtoi ai. Tutje, ai tha se janë të mërzitur, duke bërë me dije se kualifikimi ka qenë i mundur edhe ndaj Turqisë.

Reklamë

“Jemi të gjithë të mërzitur, deshëm të kualifikohemi të gjithë, dhe kjo ka qenë e mundur edhe kundër një Turqie”, tha ai./Reporteri.net/