Sulmuesi Vedat Muriqi thotë se gjithnjë e ka ditur se do ta thyente rekordin e Samuel Eto’o, ndërsa synon të vazhdojë me këtë ritëm.

Pas ndeshjes, Muriqi për faqen zyrtare të La Liga-s konfirmoi se gjithnjë ka pasur besimin se do ta arrinte këtë rekord të jashtëzakonshëm.

“Që kur kam mbërritur në këtë ishull të bukur, jam ndjerë si në shtëpi. E kam ndjerë këtë dhe kur fillon këtu, vëren diçka ndryshe që nga dita e parë. Dashuria ime për ishullin dhe Mallorcën ka qenë e tillë që nga fillimi”.

Reklamë

“E dija që doja të isha një legjendë për këtë ekip dhe falë tifozëve, stafit të trajnerëve dhe mbështetësve, tejkalimi i një legjende si Eto’o dhe hyrja në historinë e këtij klubi të madh më bën shumë krenar për veten time. Në këto ndeshje të mbetura, dua të shkoj sa më larg që të mundem”, deklaroi Muriqi.

Muriqi u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas në La Liga me 55 gola, ndërsa këtë edicion ka regjistruar 21 sosh, vetëm dy prapa Kylian Mbappe, që ka primatin në La Liga.