Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar këtë të hënë, më 13 prill, se në tre ditët në vijim do të ketë një bllokim të përkohshëm në doganat drejt Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjes.

Kjo për shkak se pritet të zhvillohet një grevë e transportuesve në këto tre vende në datat 14-16 prill.

Si pasojë e grevës, do të bllokohet kalimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë. Megjithatë theksohet se përjashtim do të bëhet vetëm për transportin e mjeteve me kafshë të gjalla apo për raste emergjence, si dhe për lëvizjen e autoveturave.

Reklamë

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Policia Kufitare e Hanit të Hotit, e cila ka sqaruar “Autoritetet malazeze kanë njoftuar se më datë 14.04.2026, duke nisur nga ora 09:30, për një periudhë 72-orëshe, Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi do të zhvillojë një protestë. Për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, nga Shqipëria në Malin e Zi, deri në përfundim të protestës.”

Në akset rrugore që të çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Malit të Zi, policia sqaron se do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, automjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.

Policia e Kufitare kërkon gjithashtu mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë, për respektimin e periudhës së kufizimit të lëvizjes, me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve apo të incidenteve të mundshme.

Sjellim ndërmend se edhe në muajt janar-shkurt, kamionistët në rajon zhvilluan një protestë, duke pezulluar qarkullimin për 48 orë. Shkak u bënë rregullat e reja për hyrje-dalje, të cilat kufizojnë kohën e qëndrimit dhe ushtrimit të aktivitetit të tyre në zonën Shengen.